Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka bërë një thirrje të veçantë për mbështetje në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj.
Në një postim në Facebook, Çupi ka ndarë një mesazh emocional dhe të rëndësishëm për sensibilizimin e shoqërisë ndaj personave me aftësi ndryshe, veçanërisht ata që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë.
Ajo ndau përvojën e saj me Aurelin, një djalë me aftësi ndryshe, i cili e inkurajoi të përdorë gjuhën e shenjave për të komunikuar me elektoratin e saj. Çupi theksoi rëndësinë e përfshirjes dhe dëgjimit të zërit të kësaj kategorie të shoqërisë, duke e quajtur këtë një hap të domosdoshëm për të ndihmuar në integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe politike.
“Më shumë dashuri ju përgjigja kërkesës së Aurelios, i cili më propozoi që mbështetjen me votë ta kërkoja nëpërmjet gjuhës së shenjave. Dhe unë e mësova,” shkroi Çupi në postimin e saj.
Deputetja e PD-së kërkoi mbështetje për të dhe theksoi angazhimin e saj për të qenë pranë personave me aftësi ndryshe në sfidat që ata përballen. “Me 11 Maj, votoni Dhurata Çupin si deputeten tuaj. Unë do jem pranë jush dhe me ju në sfidat që keni,” përfundoi ajo.
(BalkanWeb)