Prokurorët e SPAK do të zhvillojnë sot seancën me pyetje, me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili akuzohet për tre vepra penale, atë të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurive.

Në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ka mbërritur rreth orës 10.00 avokati i Metës, Genc Gjokutaj. Raportohet se Gjokutaj do jetë i pranishëm gjatë marrjes në pyetje të Ilir Metës.

 

Ilir Meta do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet.

Ish-Presidenti u arrestua më 21 tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “Arrest në burg”.

SPAK e akuzon Ilir Metën se ka ndërmarrë veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA në kohën kur ka qenë ministër i Energjetikës gjatë qeverisjes “Berisha 2”.

Ndërkohë më herët, ish-Presidenti reagoi në rrjetet sociale nga qelia duke thënë se do të jetë ai që do t’i marrë në pyetje hetuesit.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Pa dyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhet në Facebookun e Ilir Metës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb