Pas disa ditësh përpjekjesh intensive, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e Shqipërisë ka arritur të realizojë me sukses riatdhesimin e një të riu shqiptar, i cili ndodhej në rrezik në Sierra Leone.

Kërkesa për ndihmë erdhi nga e ëma e 19-vjeçarit, F. T., disa ditë më parë, dhe MEPJ e mori menjëherë nën shqyrtim situatën. Nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe me mbështetje të koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, u mundësua një reagim i shpejtë dhe i efektshëm.

Me përpjekjet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, operacioni u përmbyll me sukses brenda një periudhe të shkurtër, duke bërë të mundur që i riu të kthehej i sigurt dhe i shëndetshëm pranë familjes së tij.

MEPJ shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë autoritetet që morën pjesë në këtë operacion dhe siguron se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të palodhur për shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb