BalkanWeb dhe News24 sjellin pamjet nga momenti i mbërritjes së presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan në tokën shqiptare. Ishte ora 11.24 minuta kur avioni i Erdogan u ul në pistën e aeroportit të Rinasit. Kreu i shtetit turk, i shoqëruar nga zonja e tij, nis kështu vizitën zyrtare në Shqipëri.
Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Erdogan u prit nga një përfaqësi zyrtarësh të qeverisë shqiptare si ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja etj si dhe përfaqësues të ambasadës turke në vendin tonë.
Pas mbërritjes në Rinas, eskorta e presidentit turk iu drejtua kryeqytetit, Tiranës. Ai nisi takimet zyrtare me homologun e tij, Bajram Begaj në Presidencë disa minuta më pas, takim i cili nisi rreth orës 11.45 minuta. Para selisë së Presidencës u zhvillua edhe ceremonia shtetërore në nder të presidentit turk.
Pas takimit me Begajn, Erdogan do të udhëtojë drejt Kryeministrisë ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama. Takimi “kokë më kokë” i të dyve do të pasohet nga mbledhja e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi, nënshkrimi i marrëveshjeve dhe konferenca e përbashkët në Kryeministri.
Vizita e Erdogan në Tiranë do të përmbyllet me inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë e cila u ndërtua me fondet e qeverisë turke, investim i cili kushtoi 30 mln euro.
Axhenda
11:30- Ceremonia e pritjes në presidencë, takim kokë më kokë me presidentin Begaj
12:15- Takimi Tête-à-tête i Kryeministrit Edi Rama me Presidentin Erdoğan
13:15- Këshilli i Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi
14:25- Firmosja e marrëveshjeve respektive mes dy vendeve
14:35- Deklaratë e përbashkët e Kryeministrit Rama – Presidentit Erdoğan
15:00- Drekë në Pallatin e Brigadave
16:50- Ceremonia e inaugurimit të Xhamisë
(BalkanWeb)