Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar një operacion duke ndaluar dy punonjës policie, një doganier dhe dy shtetas të tjerë, të dyshuar për veprime të paligjshme, përfshirë shpërdorim detyre, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh në komisariatin e Gjirokastrës.
Megjithatë inspektori Feim Onjea me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja, i cili është i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” mbetet i shpallur në kërkim nga autoritetet.
Ky i fundit është arratisur në momentin që ka parë agjentët e AMP që do ta arrestonin.
Gazetari Igli Çelmeta ka siguruar për BalkanWeb pamjet që tregojnë momentin e arratisjes së Onjeas, i cili shfaqet teksa largohet me vrap nga godina.
Pasi kalon rrugën kryesore, Onjea shfaqet duke kaluar një gardh dhe më pas zhduket nga fushëpamja e kamerave të sigurisë.