TIRANE- “Mr 700 euro. Boll i zhvatët studentët”. Kjo është një banderolë që u shfaq në një nga dritaret e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin kanë hapur këtë banderolë ku denoncojnë fenomenin e korrupsionit.
“Në vijim të aksioneve ndërgjegjësuese për problematikat e jetës universitare, sot u mbajt aksioni i radhës në Fakultetin – famëkeq – të Shkencave të Natyrës. Aksioni nuk denoncon vetëm zhvatjen që iu bëhet studentëve nga tarifat e larta të studimeve, por edhe zhvatjen me tregtinë e pandershme të librave, dhe më keq akoma në disa raste edhe zhvatjen e studentëve nga disa pedagogë super të korruptuar që shesin me qindra euro një notë provimi. Aksionet tona do të vazhdojnë derisa të marrin fund tarifat dhe çdolloj haraçi në kurriz të studentëve”, thuhet në reagimin e lëvizjes.
Ajo çka nuk dihet është fakti nëse denoncimi në fjalë i referohet një pedagogu apo fenomenit në tërësi.
(ed.me/BalkanWeb)