Tension i lartë jashtë stadiumit “San Paolo” përpara stërvitjes së Napolit, që ditën e sotme ishte e hapur për tifozët e abonuar. Rreth 150 ultrasë të inatosur kanë kontestuar skuadrën e Ançelotit pas kryengritjes në fund të ndeshjes së Champions League kundër Salcburgut dhe vendimit për t’u kthyer në shtëpi duke thyer grumbullimin. Një parrullë me mbishkrimin “Respekt!” u shpalos para hyrjes së lojtarëve. Mes koreve dëgjoheshin edhe “Meritojmë më shumë” e “futbollistë mercenarë jeni ju”.

Ultrasët vijuan me koret “Vetëm fanalla” dhe “Luani me ekipin e të rinjve”. U hodhën tymuese dhe shashka. Në shenjestër ishin lojtarët, por nuk u kursye as presidenti De Laurentis “Ai që po fiton je veç ti”, refren që po dëgjohet shumë vitet e fundit në “San Paolo”. Ultrasit u zhvendosën më pas në rrethinat e stadiumit, të mbajtur nën vëzhgim nga forcat e rendit. Lojtarët mbërritën në stadium me makinat e tyre ose me taksi, duke mos ndaluar për asnjë moment para “San Paolos”.

Stërvitja nisi me vërshëllima, të bërtitura dhe kontestime nga shumë tifozë prezentë. Nga sa u bë e ditur, lojtarët hynë në fushë pa përshëndetur tifozët. Gjatë stërvitjes, në çdo top të prekur nga Insinje, Mertens apo Kajehon, tifozët bërtisnin “largohu, largohu”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb