Ndotja e ajrit në kryeqytetin e Indisë Neë Delhi është rritur në nivele jashtëzakonisht të rënda, duke mbytur banorët dhe duke mbuluar qytetin me smog të dendur. Monitoruesit regjistruan nivele ndotjeje 15 herë më shumë se niveli që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e konsideron të kënaqshme për frymëmarrjen. Ajri toksik ka sjellë shqetësim për shërbimet e fluturimit dhe tashmë ka bërë që autoritetet të mbyllin shkollat dhe të ndalojnë punimet në qytet.
Kjo vjen vetëm disa javë pasi edhe në Pkistan, gjithashtu u regjistruan nivele të larta të ndotjes. Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në Neë Delhi në ditët në vijim, duke thënë se mund të nevojiten masa më të rënda për të luftuar problemin e ndotjes së qytetit. Sipas OBSH-së, ajri me vlera të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) mbi 300 konsiderohet të jetë i rrezikshëm për shëndetin.
Autoriteti i kontrollit të ndotjes së Indisë e ka klasifikuar ajrin në Neë Delhi si “më shumë se i rëndë”, pasi qyteti kaloi 450 sipas matjeve të tij të hënën në mëngjes. Një student është shprehur se ndotja e ajrit po shkatërron shëndetin e njerëzve.
“Po përballemi me shumë vështirësi. Njerëzit sëmuren për shkak të ndotjes. Ne duhet të mbajmë maska për të mbrojtur veten.”
Përveç mbylljes së shkollave dhe ndalimit të punimeve të ndërtimit, qyteti ka ndaluar gjithashtu hyrjen e kamionëve jo thelbësorë dhe u ka kërkuar të gjitha zyrave që të kërkojnë që 50% e stafit të tyre të punojnë nga shtëpia.