HOLANDË

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla dhe deputetja Rudina Hajdari kanë nisur ditën e sotme takimet zyrtare në Parlamentin e Holandës.

Takimi i parë i tyre po bëhet me Kryetaren e Dhomës së Dytë të Parlamentit holandez, Kadija Arib. Kjo vizitë po zhvillohet pak ditë para publikimit të raportit të progresit të Komisionit Europian, ku  pritet rekomandimi pa kushte për çeljen e negociatave me Shqipërinë, nisur edhe nga fakti se zyrtarë të lartë të KE e kanë bërë të qartë se Tirana zyrtare i ka bërë detyrat e shtëpisë.

Procesi i negociatave është një ndër ‘lobimet’ më të forta që politikanët shqiptarë do të bëjnë në Holandë. Pak kohë më parë , parlamenti holandez votoi pro kthimit të vizave për Shqipërinë, lëvizje kjo, që u shoqërua me komente dhe sulme politike mes palëve edhe në Shqipëri.

Ndërkohë që pasditen e së martës, Ruçi dhe delegacioni që e shoqëron, do të zhvillojë një seancë dëgjimore me Komisionin e Çështjeve evropiane, komision i cili do të përcaktojë vendimin e Holandës ndaj Shqipërisë.

Të mërkurën, ditën e fundit të vizitës, kryetari i Kuvendit do takohet me Kryetaren e Senatit Holandës, znj.Ankie Brokers – Knol dhe me Senatorë holandezë.

Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë, sikundër paralajmëruan deputetët holandezë që vizituan pak ditë më patë Tiranën, Holanda nuk do ta thotë fjalën e saj të fundit përpara se të dalë Raporti i Komisionit Evropian në 29 maj dhe vendimin përfundimtar do ta shohim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendet të BE-së në 19 qershor.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: