1 vit e gjysmë pas arrestimit, është ekstraduar në Shqipëri Arbër Çekaj, personi i dyshuar për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane në portin e Durrësit. Çekaj, është pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kontenierët me banane të së cilës në fund të shkurtit të vitit 2018 u kapën 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia.

Vetë Çekaj ka mohuar akuzat, ndërsa pas arrestimit ai kërkoi të mos ekstradohej, me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Ai kërkoi azil në Gjermani, por gjykata e Dyseldorfit vendosi pro ekstradimit të tij, vendim që u ekzekutua mesditën e kësaj të enjteje. Ai u ekstradua në kushte të larta sigurie, ku

Policia blindoi gjithë aeroportin e Rinasit, për ta dërguar më pas në burgun “313” në Tiranë. Sakaq pritet që Çekaj të dalë para gjykatës shqiptare për t’u njohur me vendimin.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” videon e mbërritjes së tij, në burgun 313.

Lajmin për ekstradimin e Arbër Çekajt dhe bilancin e arrestimeve të personave në këkrkim ndërkombëtar e dha më herët Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajnaj.

“Falë bashkëpunimit me partnerët, shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit të punës ndërmjet Interpol Tirana me homologët është bërë e mundur që në Itali, Gjermani, Francë, Britani, Hollandë, SH.B.A, Greqi dhe vende të tjera të arrestohen 104 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të kërkuar nga drejtësia shqiptare, nga të cilët 75 prej tyre janë ekstraduar drejt Shqipërisë, ndërsa për pjesën tjetër vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre”.

Kujtojmë se të arrestuar për sasinë rekord që u kap në protin e Durrësit janë edhe Armando Pezaku e Donaldo Lushaj, ndërsa u sekuestruan edhe disa llogari bankare e dy biznese të hapura nga të afërmit e Arbër Çekajt, për të cilat dyshohej se përdoreshin për të tjetërsuar asetet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb