Ky është momenti kur i shumëkërkuari Laert Haxhiu ka mbërritur në vendin tonë nën masa të rrepta sigurie nga forcat speciale greke dhe ato shqiptare, RENEA. Rreth orëve të mesditës, Laert Haxhiu, 32 vjeç, ka prekur tokën shqiptare në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
BalkanWeb raportoi më herët se ekstradimi i tij nga shteti grek drejt Shqipërisë do të bëhej këtë të mërkurë. Lajmi u konfirmua edhe nga Policia e Shtetit.
Laert Haxhiu ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, teksa mbi të rëndojnë disa akuza të veprave të rënda penale. Haxhiu njihet si organizatori dhe një nga autorët e masakrës së Lushnjes, ngjarje kjo e ndodhur në tetor të vitit 2017 ku u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjes, Aldo Bare.
I konsideruar person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Laert Haxhiu njihet si rivali i Aldo Bares. Armiqësia mes të dyve ka përgjakur Lushnjen për disa vite me radhë duke shkaktuar viktima, ndër to edhe të pafajshme. Përplasjet mes grupeve kriminale në Lushnje kanë si pikënisje trazirat e 1997 dhe vijuan edhe pasi kishin kaluar 2 dekada nga ai vit i mbrapshtë.
(BalkanWeb)