Gazetari i News24, Fatmir Popja raporton për BalkanWeb se kanë mbetur të vdekur nga aksidenti nënë e bir, ndërsa 5 të plagosur janë në spital në gjendje kritike për jetën. Viktimat janë Klodian Shahini, 33 vjeç dhe Fatbardha Shahini 55 vjeçe. Klodiani ishte tregtar ambulant në rrugë te “Ura e Kushes” në Bradashesh të Elbasanit.
Shkak i aksidentit me bilanc tragjik në Paulesh të Peqinit paraprakisht mendohet se ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të njërit prej automjeteve të përfshirë në aksident i favorizuar edhe nga lagështia në rrugë.
Sic raporton gazetari Fatmir Popja, nga aksidenti mbetën të vdekur në vend, nënë e bir që ndodheshin në autoveturë dhe pesë të plagosur rëndë pasagjerë në furgon, mes të cilëve edhe drejtuesi i furgonit.
9 pasagjerë të tjerë mësohet se kanë marrë lëndime të papërfillshme, por që u paraqiten në spital për kontrolle mjekësore.
Në njoftimin zyrtar të policisë Elbasan thuhet se furgoni që drejtohej nga shtetasi A. B., 44 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. Sh.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Benz” shtetasi K. Sh., dhe shtetasja F. Sh., 55 vjeçe, pasagjere në këtë automjet.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i furgonit, shtetasi A. B., dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me furgon, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
(BalkanWeb)