Presidenti Bujar Nishani i ka dhënë një mesazh në distancë kryeministrit Edi Rama, sa i përket dialogut apo pajtimit shqiptaro-serb. Sipas tij, Serbia po tenton të shmangë dialogun me Kosovën dhe të intensifikojë marrëdhëniet me Tiranën zyrtare, në mënyrë që me këta të fundit të flasin për Kosovën.

“Ka një platformë të Serbisë për ta shmangur nga agjenda e tyre negociatat me Kosovën dhe besoj që strategjia e tyre është e qartë, për t’u fokusuar në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe për të justifikuar se këto marrëdhënie përbëjnë marrëdhëniet e tyre me shqiptarët”, tha Nishani.

Në një intervistë për emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, kreu i shtetit shqiptar kundërshton këtë linjë dhe thotë se dialogun duhet ta udhëheqë Kosova.

“Këtë proces, quajeni pajtim, quajeni intensifikim, koordinim ose respekt të ndërsjellët, në gjykimin tim duhet ta udhëheq Kosova”, tha ai.

Nishani iu bashkua edhe debatit që së fundmi është shumë aktual, atë për “kombësinë kosovare”. Ai tha se shqiptarët janë faktorë në Ballkan.

“Në Republikën e Shqipërisë jetojnë vetëm 40 për qind e qytetarëve që i përkasin kombësisë shqiptare. 60 përqindëshi tjetër jeton jashtë kufijve të Shqipërisë. Një numër i madh jeton në Kosovë, jetojnë në Maqedoni, jetojnë në Mal të Zi, në Serbi, në diasporë”, tha Nishani, duke shtuar se debatet për “kombin shqiptar” janë kundërproduktive dhe se më shumë do të duhej të të debatohej për idetë dhe mundësitë për zhvillimin e dyja shteteve.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: