Testi I parë I forcës u kalua me sukses dhe tani Inter i Antonio Conte ka të gjithë të drejtën të pretendojë se është favorit për titull. Askush nuk ka bërë më mirë se zikaltërit në këtë fillim të kampionatit italian: katër fitore në katër sfida, pikë të plota në krye, me nëntë gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar.

Konsolidimi i Interit erdhi në derbin e parë sezonal të fituar 2-0 kundër rivalëve të përjetshëm të Milanit. Të besuarit e Conte dominuan dhe morën maksimumin për të ruajtur serinë pozitive që ndez shpresat e popullit zikaltër se ky është viti I duhur për t’I dhënë fund dominimit të Juventusit.

Inter
Inter

Një mision aspak i lehtë, pasi kampionët në fuqi të Serie A ndjekin me vetëm dy pikë larg, pas fitores 2-1 kundër Veronës.

“Zonja e Vjetër” zbuloi Ramsey, duke treguar se ka luksin e zgjedhjes në një skuadër të mbushur me kampionë. Java e katërt e kampionatit italian konfirmoi edhe atë që me shumë mundësi do të jetë gara treshe për “scudetto”, pasi përvec Inter dhe Juventus, me një ritëm të shkëlqyer ecën edhe Napoli. Ekipi drejtuar nga Carlo Ancelotti vazhdon t’i bëjë presion kryesuesëve dhe rivalëve direktë me fitoren e fundit 4-1 në transfertën e Lecce.

Pas nisjes së keqe, Roma ka gjetur veten, duke shënuar fitoren e dytë radhazi. Me vështirësi dhe falë golit të Edin Dzeko në sekondat e fundit të shtesës, skuadra verdhekuqe mundi jashtë fushe 2-1 Bologna.

Te suksesi është kthyer edhe Lazio, që në shtëpi kaloi 2-0 Parma për të qetësuar pankinën e trajnerit Inzaghi.

Vazhdon të vuajë Fiorentina, që renditet në vendin e fundit pas katër javëve të luajtura.

Frank Ribery shënoi golin e parë në Serie A dhe e bëri këtë në një mënyrë spektakolare, por nuk ndihmoi skuadrën e tij, që shpërdoroi epërsinë e dyfishtë për të barazuar 2-2 në transfertën kundër Atalantës.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb