Ky është vendi ku Policia e Tiranës prej mbrëmjes së kaluar ka mësyrë në një operacion antidrogë, ku më pas ka zbuluar dhe një laborator për kultivimin e kanabisit.

Gazetari Igli Çelmeta ka siguruar për “BalkanWeb” pamjet e para nga vendi i ngjarjes. Bëhet fjalë për një magazinë shtetërore të para viteve ’90, të përshtatur si laborator dhe magazinë që ruhej me roje.

Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 7 persona, mes tyre edhe rojet. Operacioni është ende në vijim. Policia e Tiranës njoftoi për mediat se ka sekuestruar brenda në magazinë, në katin e dytë të saj, 105 rrënjë kanabis i kultivuar në fazo. Sipas bluve, objekti ku u gjet lënda narkotike rezulton i privatizuar nga tre persona, A.C, K.K dhe V.S.

 

“Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.

Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast”, bëri të ditur policia.

BalkanWeb mëson se laboratori i kanabisit u zbulua pas sinjalizimit të ish-deputetit të PD, Halit Valteri i cili aktualisht është përfaqësues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Dhënia e informacionit prej tij ka vënë në lëvizje forcat e rendit të komisariatit nr.2 të Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb