Në 100-vjetorin e vdekjes së Pandeli Cales, firmëtar i dokumentit të pavarësisë së Shqipërisë, anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ish-prefekt dhe ish-deputet i parlamentit të parë shqiptar, në Muzeun Historik kombëtar u mbajt një takim ku u vu në dukje veprimtaria e tij patriotike dhe u shfaq një artefakt personal.

“Flasim për Pandeli Calen, një nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë duke shfaqur objektet e Pandeli Cales që ruhen në MHK. Këtu janë të ekspozuara dylbitë e përdorura nga Cale që i janë dhuruar muzeut nga e bija, Kostanca Prodani, që kur është themeluar muzeu më 1981”, thotë Andrea Llukani, specialist në muze.

I pranishëm ishte edhe gazetari e studiuesi Ilir Konomi i cili veçoi një moment të jetës së Pandeli Cales, udhëtimin e tij nga Bukureshti drejt Vlorës më 1912 me Ismail Qemalin.

“Pandeli Cale ishte një nga këta njerëz në anije dhe kam lexuar shënimet e bashkëkohësit dhe mikut të tij Dhimitër Zografit që e ka përshkuar këtë udhëtim për në Durrës, një udhëtim shumë i rëndësishëm. Nga leximi i këtyre kujtimeve të Zografit për udhëtimin e Ismail Qemalit nga Trieste për në Durrës, unë mora shkas për të shkruar librin tim, “Pavarësia”, – tha Ilir Konomi.
Cale u shua në moshë të re në një spital në Selanik dhe mban titullin “Nderi i Kombit” si pjesë e grupit të firmëtarëve ndërsa gjatë jetës së tij të shkurtër ka jetuar në Egjipt, Bukuresht e Europë ku ka kontribuar në shoqëritë patriotike të kohës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb