Deputeti Agron Shehaj, kryetar i partisë ‘Mundësia’ ka reaguar sërish lidhur me incidentet e ndodhura në sallën e Kuvendit, ku ai u shty fizikisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe pati një tjetër incident me një tjetër deputet të PD-së, Xhelal Mziun.
Shehaj në një reagim në rrjetet sociale thekson se ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë është e paprecedentë në këto 33 vjet demokraci.
“Një përfaqësues i opozitës që i kërkon llogari mazhorancës dhe ministres për një aferë prej 1.3 mld euro largohet me dhunë nga foltorja jo nga përfaqësues të mazhorancës, jo nga garda, por nga sekretari i partisë opozitare më të madhe në Shqipëri.
Kjo tregon qartë që të gjithë kanë një interes të mbajnë pushtetin e tyre si ata që janë në pushtet dhe ata që janë në opozitë.
Por kam një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se me dhunë mund të na ndalojnë.
Ne nuk dorëzohemi. Jemi të vetëdijshëm që i gjithë sistemi ka interes që gjërat mos të ndryshojnë që të vazhdojnë në këtë mënyrë. Ne do të vazhdojmë, nuk dorëzohemi aty do na keni pavarësisht dhunës që ju ushtroni”, theksoi Shehaj.