TIRANË

Tension i lartë e kaos në selinë e Partisë Demokratike, ku mbështetës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i janë përgjigjur thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku qëndronte kryetari demokrat Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Fillimisht dera kryesore e selisë u hap me forcë, përpara orës 12:00 e cila ishte ora në të cilën ishte thirrur protesta. Xhamat e derës u thyen, por protestuesit u ndalën në pjesën e hollit, ku u gjendën përpara dyerve të tjera të përforcuara me veshje hekuri.

Pas këtij momenti nuk ka patur asnjë çast qetësie. Mbështetësit e Berishës provuan të hynin nga drejtime të ndryshme. Një tentativë e disa personave që me anë të shkallëve u ngjitën në katin e dytë, në një ballkon në krahun e majtë, u zpraps, nga disa persona nga brenda godinës. Një prej protestuesve mbeti i plagosur në kokë.

Përpjekjet e tjera po ashtu janë sparpsur, ndërsa nga brenda selisë u hodh edhe gaz irritues. Duke përdorur shkallët, mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha  kanë tentuar të hyjnë në katet e sipërme, duke përdorur dhe sende të forta e gurë që kanë thyer xhamat. Një derë e blinduar në krahun e djathtë të godinës u arrit të hapej.

Situata në selinë e Partisë Demokratike u qetësua pasi policia ndërhyri me kërkesë të deputetëve që ndodheshin brenda saj të cilët kishin deklaruar se ndjeheshin të kërcënuar nga sulmi i dhunshëm i mbështetësve të Berishes. Njësitë speciale morën kontrollin e godinës. Oborri dhe e gjithë zona përreth u boshatis, pas përdorimit të gazit lotsjellës.

Sali Berisha nga ana e tij foli për një ndërhyrje kriminale nga ana e policisë, duke deklaruar më pas se kjo që ndodhi “është vetëm faqja e parë e një lëvizje të pandalshme”.

Me anë të një deklarate, Partia Demokratike reagoi duke u shprehur se “Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës” .

Pas disa orësh tensione dhe dhunë në selinë e PD-së, por dhe në disa rrugë të kryeqytetit pranë kësaj godine, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi mbylljen e protestës. Berisha paralajmëroi se aksioni nuk do te ndalet, derisa sic tha ai, demokratet të marrin shtëpinë e lirisë.

Grupi hetimor dhe policia qendruan per disa ore ne seline e PD-se duke mbledhur prova, pasi godina u rrethua si skene krimi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: