TIRANË
Dera është e hapur, nuk ka as policë, asnjë shenjë të dhjetëra njerëzve që kanë hyrë e kanë dalë nga apartamenti tip ‘duplex’ në lagjen numër 2 të qytetit të Kavajës. Por shenjat e asaj çfarë ka ndodhur një natë më parë janë më se të dukshme. Gazetarja Dorjana Bezat ka qenë sot në apartamentin e Marsida Qatjas, 30-vjeçares, nënë e tre fëmijëve, e cila dyshohet të jetë ‘molla’ e sherrit e konfliktit që përfundoi me vrasjen e një 41-vjeçari dhe plagosjen e shefit të sigurisë së burgut të Durrësit.
Në tavolinë ka ende ushqime të lëna përgjysmë pasi 41-vjeçari Dritan Haxholli hyri me kallashnikov dhe qëlloi me breshëri. Makarona, mish, kuti picash, shishe birre e në dysheme një këpucë e vogël fëmije. Pellgu i gjakut i dukshëm në mes të vendit, shenja dhune në mure e shenja plumbash.
Në katin e sipërm duket se policia e ka kthyer përmbys shtëpinë e 30-vjeçares ndërsa i frikshëm është fakti se 41-vjeçari Dritan Haxholli ka hyrë me kallashnikov nga dhoma e fëmijëve të mitur pasi duket grila e shqyer e dritares së ballkonit.
(BalkanWeb)