Edhe këtë të premte banorët e Fushë Krujës, Krujës dhe zonave përreth protestuan në autostradën Thumanë-Kashar. Gazetari Igli Celmeta raportoi për BalkanWeb nga vendngjarja se kjo është protesta e nëntë e banorëve të cilët kërkojnë hyrje dhe dalje në rrugën e re. Ndërtimi i autostradës i ka bllokuar ata dhe i ka lënë pa akses me rrugën e re.

Siç shikohet dhe nga pamjet, në protestë vihet re prezencë e madhe e policisë.

Banorët thanë se bizneset e tyre do të falimentojnë, ndaj duan hyrje-dalje në autostradë. Ndër protestuesit kishte edhe nga ata që i sugjeruan policisë ta bëjë me pagesë edhe pjesën e tyre, por vetëm të lidhen me autostradën, nga e cila aktualisht janë të privuar.

“Rama nuk di nëse është shqiptar apo jo. Nuk na japin përgjigje. Të vijë gjithë kjo Polici e Shtetit këtu është turp. Ne kemi dalë për të drejtën tonë. Këtu është rotondë, nuk është pjesë e autostradës. Janë qindra biznese që janë bllokuar. Protesta nuk do ndalohet asnjëherë. Mua biznesin ma kanë ndarë në dy pjesë. Nuk kemi rrugë për të shkuar në punë. Le ta bëjë me pagesë, por vetëm duam hyrje-dalje në rrugë. Ne ketë gjë duam”, tha një banor.

Në një moment, banorët ndaluan qarkullimin e automjeteve në autostradë. Por, policia ka ndërhyrë pak më vonë, duke liruar qarkullimin. Banorët thanë se do ta çojnë në SPAK mungesën e hyrje-daljeve në autostradë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb