Vila trikatëshe në rrugën Kont Urani që shërbeu si godina e ish-Radio Tiranës do të restaurohet! Pas kërcënimeve serioze që i kanoseshin nga rikonceptimi i zonës, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë II, duke parandaluar ccdo pwrpjekje pwr shembjen e saj. Rudina Papavasili nga Instituti i Trashegimise jep detaje nga projekti.
“Paraqitet në gjendje shumë te keqe, nuk ka dritare dhe çdo gjë është e degraduar meqë ka mbi 20 vite që nuk funksionon. Parashikon të gjitha ndërhyrjet për ta rikthyer në funksion objektin. Ruhen të gjithë elementet arkitektonikë, të fasadës, dhe të brendshëm. Shkallët, shtrimet dhe çdo element që ka pak interes arkitektonik do të ruhet”, tha ajo.
E ndërtuar midis viteve 1928-1930, ndërtesa e dikurshme e Radio Tiranës dhe më pas e Institutit të Kulturës Popullore, njëherësh, është një nga vilat e para moderne në qytet. E vënë në mbrojtje për vlera historike e arkitektonike, godina tashmë private, do të ruhet, por funksioni i saj nuk do të jetë muzeal.
“Godina do funksionojë si zyra. Parashikohen të gjitha ndërhyrje restauruese. Dritaret, shtrimet dhe vendosja e një ashensori të ri për personat me aftësi ndryshe. Godina ka pasur disa funksione, është ndërtuar që në vitet 1930 dhe ka qenë banesë, më pas si Radio Tirana, radiostacioni i parë shqiptar në 1938 deri më 1965 dhe më vonë ka qenë instituti kombëtar i kulturës popullore” tha Papavasili.
Nga çatia te kapitelet, kangjellat dhe sistemi hidraulik e elektrik, godina e ish radio Tiranës do të ruhet por tashmë duke pasur tjetër funksion. Me kujtesën e qytetit, atë, do ta lidhë fasada.