TIRANË
Për më shumë se tre orë protestë opozita e bashkuar dorëzoi sot mandatet e deputetëve dhe nga dita e sotme janë qytetarë të lirë. Me thirrje Rama ik, mandatet janë të qytetarëve deputetë të opozitës iu drejtuan protestuesve fillimisht në sheshin para parlamentit. Do të ishte kryedemokrati Lulzim Basha i cili pas deklaratës së tij do të spostonte turmën e protestuesvee drejt Kryesisë së Kuvendit, ku edhe u dorëzuan zyrtarisht mandatet e deputetëve.
Protesta e sotme e opozitës së bashkuar u zhvillua e qetë e paqësore, pavarësisht masave të rrepta të policisë së shtetit. Protestues dhe mbështetës të opozitës u rreshtuan kordon para efektivëve të policisë për të mos lejuar përplasjen mes protestuesve dhe policëve, ndërsa në krah kishin lidhur një shirit të bardhë si simbol të paqes.
Nderkohe seanca e sotme plenare, u anulua me vendim të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, i cili argumentoi se mori këtë vendim me qellim shmangien e pershkallezimit te metejshem te situates.
Basha: I vumë kyçin parlamentit të krimit, jemi qytetarë të thjeshtë
Ora 13:00 Kreu i PD, Lulzim Basha ka folur para simpatizantëve nga selia e PD pas protestës së sotme tek Parlamenti dhe dorëzimit të mandateve në Kryesinë e Kuvendit së bashku me protestuesit. Në selinë blu ishte e pranishme edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha tha se sot opozita dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçi parlamentit të krimit duke u rreshtuar me krah qytetareve si njerëz të thjeshtë.
“Misionarë të shpresës opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kuçin parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shprese që nuk do ndalet derisa të largojmë kryehajdutin”- tha Basha.
Basha del nga Kryesia, dorëzon mandatin e deputetit
Ora 12:30 Kreu i PD, Luzlim Basha ka dorëzuar mandatin e deputetit në Kryesinë Kuvendit, ndërsa të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe deputetët e tjerë. Kujtojmë se pas protestës tek Parlamenti, Basha drejtoi protestuesit tek Kryesia e Kuvendit për dorëzimin e mandatit.
Basha sposton turmën te Kryesia: Pas meje, të dorëzojmë mandatet
Ora 12:10– Gjatë fjalës së tij para protestuesve tek Parlamenti, kreu i PD Lulzim Basha i është përgjigjur edhe ndërkombëtareve.
Basha kërkoi nga ndërkombëtarët që të mos i kërkojnë atij atë që nuk do pranojnë për popullin e tyre. Kryedemokrati u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë së bashku në Kryesinë e Kuvendit për të dorëzuar mandatet e deputetëve.
Basha: Rama para drejtësisë. Policia mos ta lërë të dalë jashtë
Ora 12:00- Kryedemokrati Lulzim Basha iu ka dhënë një mesazh diplomatëve e miqve të huaj të Shqipërisë se opozitarët nuk janë popull i dhunës. Ai tha se pas dorëheqjes kryeministri Edi Rama duhet të shkojë para drejtësisë dhe i bëri thirrje policisë të mos e lërë të dalë jashtë kufijve.
“Sot jam qytetar i Tiranës në krahun tuaj dhe me ju deri në fitore. Zoti e ka nisur rrugëtimin e pranverës herët dhe me ndihmën e Zotit shqiptarët e bashkuar kanë nisur rrugëtimin e shpresës. Ky rrugëtim që nisi me bashkimin më të madh të shqiptarëve në 29 vite liri dhe pluralizëm do të vazhdojë pandërprerë deri në largimin e qeverisë së krimit, për krimin dhe me krimin. Rama ik! Rama ik! T’ju dëgjojë bota”, bëri thirrje Basha. Ai deklaroi se ‘ne kërkojmë për Shqipërinë tonë atë që na takon’.
“Sytë e botës, Europës, SHBA-ve janë sot tek ky shesh dhe nga ky shesh ju them ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që keni për popujt tuaj. lulzim basha do qëndrojë në krahun tuaj në këtë betejë. unë besoj tek demorkacia europiane, besoj tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek shteti i së drejtës. Unë besoj tek ndarja dhe balancimi i pushteteve, unë besoj tek liria, demokracia dhe tek mundësia për çdo shqiptar. unë e di që se njësoj si unë, qytetari Lulzim Basha besojnë të gjithë qytetarët ndershëm të Shqipërisë. Dua t’ju them miqve tanë: ne nuk jemi popull i dhunës. Ne nuk do të pranojmë kurrë më një kryeministër bandit të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, të kapur në flagrancë duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës. Për Edi Ramën, dorëheqja është vetëm fillimi, ai do të shkojë para drejtësisë. I bëj thirrje policisë së Shtetit të mos lejojë daljen jashtë kufijve të të pandehurit Edi Rama”, deklaroi Basha.
Paloka: Sot është fundi i Edi Ramës
11:42 Edi Paloka: Shumë prej jush më përgëzuan për aktin që bëra. Ajo nuk ishte hakmarrja e Palokës, por e shqiptarëve për gojën e qelbur e atij që urdhëron dhunë ndaj shqiptarëve. Të atij që urdhëron varfërimin e popullit të vet. A mund të jetë ai institucion i rrethuar me tela me gjemba. Ky simbol është simbol i të persekutuartuarëve. Sot kemi Rucin që mbyll Parlamentin, por edhe një më të keq se ai që është Edi Rama. Sot jemi këtu për t’i djegur atij mandatin. Sot është fundi i Edi Ramës. Rama ik
Kryemadhi: S’ka më kthim pas!
Ora 11:35: Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë para mijëra protestuesve duke mbrojtur policët dhe duke akuzuar qeverinë.
Kryemadhi tha se policët janë njësoj si gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se mandatet e opozitës nuk janë më fasadë e narkoshtetit por të shqiptarëve. Ajo deklaroi se nuk më kthim pas.
“Motra dhe vëllezër, të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë prindërve të tyre e motrave të tyre. Ata policë që rrogat e tyre janë vetëm 300 mijë lekë të vjetra sa kushton një kollare e Edi Ramës nuk mund të jenë ushtruesit e dhunës. Ata policë që janë njësoj si gjithë shqiptarët, që paguajnë faturën e energjisë si ju më shtrenjtë se ndonjëherë. Ata policë njësoj si ju kanë hedhur letra për legalizimet e shtëpive të tyre dhe Edi Rama përdor uniformën për t’i kërcënuar.
Motra dhe vëllezër sot mandatet tona nuk janë mandate të narkoshtetit, nuk janë më fasadë e narkoshtetit. Sot mandatet tona janë të shqiptarëve pavarësisht bindjeve. Sot mandatet tona janë për t’u kthyer edhe njëherë në 1990 për të thirrur ‘liri demokraci’”, deklaroi Kryemadhi.
Dashamir Shehi: Ky zotëria që duam të pëzëmë është e keqja më e madhe që na ka rënë në 30 vjet. Nuk jemi mrekullia ne, nuk jemi pa huqe, por të keqe më të madhe se kjo nuk i kishte rënë Shqipërisë. Ky njeri që bredh poshtë e përpjetë Shqipërisë dhe hedh helm kundër shqiptarëve dhe pretendon se do na bashkojë me Kosovën, ky do të ndajë edhe Shqipërinë nëse e lëmë. Por nuk do ta lëmë. Është rrugë e gjatë dhe e vështirë po nuk kemi rrugë tjetër. Nuk na ka lanë shteg tjetër përveç protestës së rrugës. Do të vijë dita që do t’i kthehemi asaj salle, por do t’i kthehemi si burrat!
Klevis Balliu: Fuqia është e juaja. I themi këtij krimineli njëzëri: Rama ik. Sot është koha juaj dhe merrni në dorë fatet e vendit.
Shpëtim Idrizi: Jam sot këtu për ti thënë dallkaukut të përparimit: hapi rrugë shqiptarëve, zgjedhjeve të lira sepse shqiptarët do ta marrin vetë fatin e tyre në dorë. Nëse detyrove 4 mijë shqiptarë të iknin nga Shqipëria, sot ka ardhur koha të ikësh ti. Shqiptarët janë të gatshëm siç larguan komunizmin të të largojnë dhe ty. Nuk mundet taksat e shqiptarëve të shkojnë tek duart e pesë vetëve. I them o nëtëdhejetë e nëtshë largohu ose shqiptarët do të punojnë qindëshin.
Jorida Tabaku në protestë: Sot bëhemi bashkë për të larguar këtë shtet që ka kapur për fyti të gjithë. Sot bëhemi bashkë për të shporrur këtë qeveri dhe Ramën.
Ervin Salianji: Më datë 16 dëgjuam zërin e qytetarëve. Sot mandati im, mandati i Ervin Salianjit iu takon juve, fitore!
Nora Malaj: Mandati im për të gjitha gratë dhe vajzat që e duan Shqipërinë e lirë.
Luan Baçi: Mandati im është i juaji. Të gjithë bashkë “Rama ik!”.
Gent Strazimiri: Përshëndetje njerëz të lirë. Si sot 28 vjet më parë Gramoz Ruçi bëri veprimin e parë si ministër i brendshëm i diktaturës. Sot pas 28 vitesh kryetari i parlamentit rrethon me tela me gjemba parlamentin sepse ka frikë nga populli.
Kejdi Mehmetaj: Mandati i deputetes nuk është i imi, mandati është i juaji, është i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Ta bëjmë Shqipërinë shtëpine tonë!
Ndryshe nga protesta e kaluar policia ka forcuar radhët e saj. Janë 7 kordonë policësh para parlamentit. Mësohet se efektivët e FNSH-ve janë vendosur pas tre kordonëve së policisë së rendit dhe 3 kordonëve të forcave Shqiponja. Ndërkohë protestuesit janë mbledhur para parlamentit. Opozita e Bashkuar proteston sërish sot, por tubimi do të mbahet para parlamentit.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se 1200 forca policie do të jenë në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të jenë në oborrin e parlamentit, ndërsa garda do të qëndrojë brenda parlamentit dhe në tarracë. Ndërkohë përreth parlamentit janë vendosur tela me gjemba. Protestuesit kanë nisur thirrjet e tyre “Rama ik” duke iu rënë vuvuzelave.
Mësohet se tashmë është formuar kordoni i policisë përgjatë parlamentit. Po kështu është bllokuar pedonalia për këmbësorët dhe qarkullimi në rrugën “Xhorxh Bush”.
Një tjetër detaj është dhe saldimi i derës që lidh selinë e PD-së me parlamentin. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se ka supermasa të policisë në çdo zonë përreth parlamentit. Sipas saj, ka dhe hsumë forca të hetimit të krimit, agjentë të antiterrorit dhe efektivë civilë që do të monitorojnë protestën apo persona me rrezikshmëri.
Ditën e djeshme policia e Shtetit deklaroi se ka informacione për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale dhe se synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit.
Por policia ka paralajmëruar se do përgjigjet me forcën e ligjit për ata që kryejnë akte të dhunshme e të paligjshme në protestën e nesërme të thirrur nga opozita.
Basha dhe Kryemadhi lënë selinë, u bashkohen protestuesve
Ora 10:35– Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë lënë selinë e partive të tyre dhe janë drejtuar për në Kuvend për t’ju bashkuar protestuesve.
Të rinjtë e FRPD lule dhe qirinj para Kuvendit: Funerali qeverisë!
Ora 09:10-Të rinjtë e FRPD kanë hedhur karafila para parlamentit dhe kanë ndezur qirinjtë, në shenjë simbolike.
Të rinjtë e FRPD shprehen se karafilat dhe qirnjtë simbolizojnë fundin e kësaj qeverinë dhe po i bëjnë funeralin politik rilindjes.
Ish kryeministri Sali Berisha mbërrin në selinë e PD
Ora 10:03– Ish kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD, por nuk ka dhënë prononcim për mediat.
Policia kontroll automjeteve të nisura nga Lezha
Ora 09:03- Mësohet se nga Lezha, Kurbini dhe Mirdita si dhe njësite vendore përkatëse janë me dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës.
Sipas disa protestuesve, automjetet po kontrollohen ne dalje të Laçit nga policia por deri me tani nuk janë shënuar incidente.
Kreu i PD Elbasan: Shumë qytetarë janë shantazhuar
Ora 08: 40- Kryetari i degës së PD për Elbasanin Eugen Isai ka thënë se pjesëmarrja e elbasanasve në protestën e sotme para Parlamentit do jetë masive.
Sipas tij të paktën 1500 persona janë nisur me mjete private dhe 3 autobuzë. Eugen Isai tha se shumica e qytetarëve që duan të jenë pjesë e protestën janë shantazhuar nga segmente të ndryshme të pushtetit.
Isai u shpreh se elbasanasit nuk do dorëzohen para asnjë lloj presioni dhe do marrin pjesë masivisht në çdo protestë që ka për qëllim mbrojtjen e parimeve të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.
Nisen protestues nga Fieri
Ora 8:05- Dhjetëra autobusë dhe mjete private janë nisur sot për në kryeqytet ku do të mbahet protesta e opozitës së bashkuar, e dyta brena pak ditësh.
Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se nga të gjitha njësitë administrative janë nisur qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.
Kreu i PD-së së Fierit, tashmë ish-deputet Luan Baçi tha se protesta e sotme do të jetë më masive se ajo e 16 shkurtit.
“Sot është një protestë tjetër e fuqishme që vjen pas një lëvizjeje po aq të fortë që bëri PD. Protesta do të jetë më masive se ajo e 16 shkurtit”, deklaroi Baçi.
(m.k/d.d/BalkanWeb)