Onder Baloglu e luan violinën me pasionin e një artisti që i ka kushtuar asaj jetën. Në Tiranë, me notat e tre kompozitorëve që bënë epokë, Mendelssohn, Bruckner dhe Schonberg, ai vjen me mesazhe paqeje në një koncert që bashkon artistë nga 13 vende të rajonit dhe Europës.

“Është një projekt paqeje me orkestrën e Ballkanit Perëndimor. Ne jetojmë në Gjermani dhe shumë prej nesh jemi të huaj atje. Gjejmë disa paralele që t’i përkasim një bote ku paqja prevalon. Muzika po bëhet një himn për të gjithë ne, mbase qëllimi i njerëzimit duhet të jetë të krijojë muzikë e të shijojë jetën”, tha ai nga salla e Universitetit të Arteve.

Për pianistin e dirigjentin Desar Sulejmani, një koncert që bashkon kompozitorë të kohëve e kombësive të ndryshme me artistë profesionistë e të rinj, është përpjekje që përmes muzikës të zhbëjë daullet e luftës.

“Sepse jetojmë në një kohë lufte dhe ku çdo ditë e çdo mbrëmje, kambanat e luftës ose dëgjohen shumë ose janë afër dhe mendoj se përmes muzikës, ne mund të jemi më të paqtë me njëri tjetrin, të bashkëpunojmë e rindërtojmë”, thotë Desar Sulejmani, ideator i koncertit.

Koncerti nis në Tiranë dhe më pas udhëton drejt Shkodrës, disa vendeve ballkanike dhe kulmon në Gjermani, me ndihmën e së cilës ka marrë jetë, duke përkujtuar edhe përvjetorët e tre kompozitorëve të mëdhenj.

(BalkanWeb/News24)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: