Real Madrid fiton finales e Kupës Interkontinentale ndaj skuadrës meksikane të Pachucas. Los Blancos triumfuan 3-0, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Lusail”, në Doha të Katarit.
Kampionët e Europës vuajtën në pjesën e parë, ndaj një kundërshtari që po mbrohej mirë. Ekipi madrilen zhbllokoi takimin me Kylian Mbappe, në të 37-tën minutë. Të besuarit e Ancelottit thelluan avantazhin me Rodrygo, në minutën e 53-të. Emrin në listën e golashënuesve e vendosi edhe Vinicius Junior, që përktheu në gol një penallti në minutat e fundit të takimit.
Shumë pak për të thënë për Pachucan, që bëri shumë pak në këtë ndeshje dhe është e detyruar të kënaqet me pjesëmarrjen në këtë finale. Real Madrid koleksionon kështu një trofe të rëndësishëm, ndërsa synon suksesin edhe në kompeticione të tjera.
(J.S/BalkanWeb)