Nga Senad Nikshiqi- Vllazia me rënien nga Superliga pësoi një goditje të fortë. Mijëra tifozë nuk e përjetuan aspak mirë këtë dështim të kuqebluve.

Që pas javës së fundit të Kategorisë Superiore kur Vllaznia firmosi rënien nga elita e futbollit shqiptar kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi si përgjegjësja kryesore e këtij dështimi nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike. Ndërkohë që të gjithë presin të dëgjojnë një falje apo një zgjidhje për Vllaznisë kryebashkiakja ka zgjedhur heshtjen. Madje ia ka dalë shumë mirë që edhe t’i fshihet gjatë gjithë kësaj kohe mediave.

Në festën e fëmijëve, 1 qershorin teksa po afrohej për të marrë pjesë në një aktivitet gazetarët e kanë ndalur për t’i drejtuar disa pyetje, kjo për interesin e madh që ka opinioni jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë.

Ademi e gjendur në befasi ka tentuar që t’i shmanget gazetarëve. Ajo nuk ka dhënë asnjë përgjigje pavarësisht këmbënguljes së mediave. Madje në një moment drejtori i shërbimeve sociale në bashki Filip Vila ka bërë një gjest të papërshtatshëm duke bllokuar me duar njërën prej kamerave ndërsa ka provuar që të ngrejë edhe zërin.

Pavarësisht tentativës së gazetarëve Ademi ka vijuar rrugën e saj duke mos u përgjigjur. Që nga momenti i rënies nga Superliga, ka patur vetëm një deklaratë për shtyp të klubit Vllaznia ku përgjegjës janë bërë stafi drejtues, stafi teknik dhe futbollistët duke zhveshur kështu nga çdo përgjegjësi kryebashkiaken Ademi.

Kjo deklaratë erdhi pas një mbledhje të fshehtë për mbi 4 orë në zyrat e stadiumit “Loro Boriçi” ku e pranishme ishte vetë Ademi bashkë me stafin drejtues të Vllaznisë. Pas asaj mbledhje erdhi edhe ajo deklaratë për shtyp.

Pak ditë më vonë bashkia urdhëroi që klubi të gjobisë me nga dy paga mujore lojtarët për rënien nga Superliga ndërsa kryebashkiakja i ka kërkuar administratori Astrit Gjyrezi dorëheqjen. Kjo kërkesë e fundit është për t’i lënë barrën më të madhe të përgjegjësive administratorit edhe pse ky i fundit nuk ka patur forcën e duhur të vendimmarrjes brenda klubit.

Kryebashkiakes nuk i mjafton vetëm rënia për Superligës e Vllaznisë por vijon edhe me skema të tilla apo shfaqje si kjo e mos përgjigjes. Rrëzimi i Vllaznisë nga elita e futbollit shqiptar vjen në momentin më kulminant të këtij klubi teksa vitin tjetër do të festohet 100 vjetori i krijimit të ekipit i cili i dha jetë lojës me top e këmbë në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb