Gjatë mbrëmjes së të mërkurës, zona e Zadrimës në Lezhë u përball me reshje të dendura shiu, duke sjellë probleme serioze, veçanërisht në fshatin Fishtë. Sipas raportimeve në terren, vërshimi i përrenjve ka bllokuar disa rrugë, duke e bërë lëvizjen në zonë të vështirësuar.
Uji ka arritur nivelin e disa centimetrave, duke rrezikuar gjithashtu disa banesa nga përmbytjet. Shtabet e emergjencave civile janë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët e prekur.
Banorët e zonës kanë bërë thirrje për ndihmë, pasi ura në afërsi të Kishës së Fishtës është dëmtuar dhe mbetet e pakalueshme. Intensiteti i lartë i reshjeve ka shkaktuar gjithashtu rritje të nivelit të ujit në kanalet, duke rrezikuar përmbytje të tokave përreth.
Sinoptikanët kanë parashikuar reshje të fuqishme shiu për tre ditët e ardhshme në qarqet Lezhë dhe Shkodër, duke ngritur shqetësime për përkeqësimin e situatës në zonë.
(BalkanWeb)