TIRANE

Afro një muaj e gjysmë pas grabitjes spektakolare në pistën e Rinasit, rinisin trasfertat e parave të bankave të nivelit të dytë jashtë Shqipërisë. “BalkanWeb” ka siguruar një video të makinave të shoqërive private të sigurimit, teksa dorëzojnë ngarkesën e parave në një nga avionët, që është gati për t’u nisur në fluturim. Ndryshe nga më herët ajo që bie në sy është se brenda pistës kanë hyrë punonjësit e policisë, të cilët sikurse shihet në video, janë të armatosur.

Dy efektivë të policisë, qëndrojnë në gatishmëri, madje njëri prej tyre flet edhe në telefon, pasi nuk e ka idene se po filmohet. Pak metra larg avionit, qëndron furgoni i policisë. Prania e forcave të policisë brenda pistës, duket se është  një nga masat shtesë të marra nga institucionet me qëllim për të shmangur ngjarje të tjera të rënda siç ishte ajo e 9 prillit, ku një grup kriminal i armatosur depërtoi brenda pistës duke marrë nga barku i një avioni miliona euro, që do të trasportoheshin drejt Vjenës.

Më herët, policia qëndronte në rrethimin e jashtëm të aertoportit dhe reagonte vetëm kur sinjalizohej nga shoqëria private e sigurisë në Rinas. Në ngjarjen e fundit, policia pas sinjalizimit u vu në ndjekje të grabitësve, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti I vrarë Admir Murataj, një personazh me rekorde kriminale në Greqi e Shqipëri në fushën e vjedhjes së bankave.

Pas megagrabitjes brenda aeroportit, që u konsiderua si cënim i sigurisë kombëtare, siguria e Rinasit është marrë në dorë nga ushtria. Pavarësisht masave të marra së fundmi, prokuroria për Krime të Rënda, e cila po heton për ngjarjen e 9 prillit, ende nuk ka dalë ndonjë konkluzion nëse institucionet shtetërore apo kompanitë private, kanë kryer shkelje në përmbushjen e detyrës për garantimin e sigurisë së aeroportit.

Dyshimet janë se grupi kriminal ka patur bashkëpunëtor brenda Rinasit, por deri më tani nuk ka ndonjë emër konkret, të jetë marrë person nën hetim apo I pandehur. Ndërkohjë lidhur me grabitjen, në pranga janë vënë gjashtë personave, mes të cilëve edhe Alkond Bengasi, që ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa vijojnë të jenë në kërkim Klement Cala, vëllai I tij, Eldi Cala dhe Talo Çela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb