Në 74-vjetorin e lindjes, Edy Reja kërkon një dhuratë të madhe nga djemtë në transfertën turke, kërkon një fitore për të ndezur edhe më shumë ambientin kuqezi, një fitore e cila do të “çimentonte” rinovimin e tij në krye të Kombëtares. Italiani duket strategu i duhur për të vijuar projektin e FSHF-ës, ndaj Turqisë është një test shumë i rëndësishëm në çdo aspekt, një ndeshje e cila duhet zhvilluar në perfeksion për të dalë me një rezultat pozitiv:

“Grupi po funksionon mirë. Po punojmë mirë në të gjitha aspektet. Kemi konsideratë për Turqinë, për lojtarë si Burak Jilmaz, Calahanglu dhe Tosun. Po përmend sulmuesit sepse dalin më shpesh para portës. Janë lojtarë që i njoh. E ndjek kampionatin italian. Ne na duhet të jemi në kondicionin më të mirë të mundshëm. Duhet të shprehim potencialin në fushën e lojës, ndryshe do ta humbim këtë sfidë. Duhet të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz për këtë ekip sepse e meriton”.

Reja
Reja

Jo vetëm Hysaj, i cili është një humbje e madhe në këtë transfertë, për vetë rolin e tij në fushë, por shqetësime kanë shfaqur edhe dy titullarë të tjerë si Roshi dhe Memushaj. Mesfushori fierak ka probleme me kaviljen ndërsa Memushaj vuan një shqetësim muskulor:

“Hysajn e dimë mirë rëndësinë që kishte, por kush do të luajë, do të bëjë mirë. Ky është një test i rëndësishëm për ne sepse përmes kësaj ndeshje mund të bëjmë vlerësime, nëse po përmirësohemi në aspektin individual dhe kolektiv. Do të na japë përgjigje, uroj pozitive që ka ndodhur rritja, duhet të marrim në konsideratë se kemi ndryshuar gjëra, kanë ardhur lojtarë të rinj edhe muajt e kaluar. Pres përmirësime të tjera dhe nëse do të jenë, do të thotë që kemi marrë rrugën e duhur”

Në konferencën për shtyp, Edi Reja nuk preferoi të ndalet tek e shkuara dhe se çfarë ka prodhuar ky takim, gjërat kanë ndryshuar shumë, ekipit të tij i duhet përqendrim maksimal për 90 minuta për të marrë një rezultat pozitiv: “Qartësisht kjo është një ndeshje që duhet përballuar me vendosmëri, duhet të jemi të aftë taktikisht, janë të fortë fizikisht e teknikisht, kanë bërë gol me goditje standarde e janë të rrezikshëm, për këto arsyes duhet të jemi të vëmendshëm. Ajo që më intereson në mënyrë të veçantë është që të shoh përmirësim në krahasim me ndeshjen e fundit, pres një paraqitje të mirë gjatë 90 minutave, nuk duhet të ulim asnjëherë vëmendjen, në të kundërt do të jetë e rrezikshme për ne”. Si gjithnjë Reja nuk preferoi të flas për një rinovim të mundshëm, aq më tepër përpara një sfidë të tillë por dukshëm italianin e josh shume ideja për të vijuar bashkëpunimin me përfaqësuesen shqiptare.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb