Pas Elbasanit, moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi ka përfshirë prej orës 15:30 edhe qytetin e Beratit, duke përmbytur të gjitha rrugët.

I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka përmbytur rrugët kryesore dhe të lagjeve të qytetit, duke vështirësuar lëvizjet jo vetë të automjeteve, por edhe të këmbësorëve në rrugë, teksa siç shihet në videot që gazetarja Eneida Petova sjell në redaksinë e “BalkanWeb”.

Stuhitë e forta të erës dhe rrebeshet e shiut kanë rrezikuar seriozisht edhe rrëzimin e pishave e pemëve në akset nacionale. Stuhitë e fuqishme kanë detyruar gjithashtu të gjitha bizneset të mbyllin qepenat për më shumë se një orë, ndërkohë që rrugët e qytetit janë mbuluar nga uji, gurët dhe degët e pemëve që janë këputur nga era.

Menjëherë në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit në bashki, të cilët po zhbllokojnë pusetat e bllokuara nga prurjet dhe janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej. Stuhia e fortë gjithashtu ka lënë pa drita gjithë qarkun e Beratit për rreth 2-orë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb