TIRANE- Ranë pre e abuzimit seksual nga njeriu që duhej t’i mbështeste në jetë, babai i tyre. Nën një presion fizik dhe psikologjik dhe me gjithë familjen kundër, dy motrat minorene gjetën kurajon të vërtetonin në sytë e të afërmve të tjerë abuzimin e të atit dhe ta denonconin atë. Historia e tyre, e cila nis në Greqi dhe përfundon në Tiranë, vjen në Top Channel e rrëfyer nga motra më e madhe, ndonëse edhe ajo minorene.

“Ai vazhdoi të ushtronte dhunë, këto ishin dyshimet e para, ndaj meje dhe motrës. Pastaj nisi edhe fjalë banale e intime dhe u bë shumë e kuptueshme. Biseduam me xhaxhallarët që ishin në Greqi, por edhe ata nuk na besuan. Përmes kamerës së tabletit bëmë videon dhe ua treguam xhaxhallarëve”, thotë motra e madhe. Por, edhe pas kësaj prove të guximshme të realizuar nga motrat, familja sërish nuk i përkrahu. Në këto kushte, dy vajzat u detyruan të arratiseshin nga banesa ku qëndronin me të atin, në Greqi dhe të ktheheshin në Shqipëri me shpresën se do të bindnin familjarët për abuzimin që u bëhej. Dhe kur sërish nuk gjetën përkrahje, ato vendosën t’i drejtoheshin policisë.

“Në Greqi nuk na lejoi xhaxhai, sepse atje kishte gjyqin hapur dhe na tha se do ikni në Shqipëri dhe do t’i rregullonim gjërat në familje, jo në polici. Por, pasi mora vesh që babai kishte ardhur nga Greqia isha në rrezik. E dija që do vazhdonte të na dhunonte, ose të na zhdukte edhe kufomat, sepse na i kishte thënë, ndaj, të ndjera në rrezik bëmë denoncimin. E kemi biseduar këtë edhe me nënën, por nuk na ka besuar”, vijon rrëfeimin e saj vajza.

Të vendosura që këtë betejë ta vazhdojnë deri në dënimin e babait, dy motrat nuk kanë tashmë asnjë apel për familjarët e tyre, por vetëm mall për vëllain dhe motrën më të vogël. “Për familjen jo. Thjesht ngaqë kam një vëlla e një motër të vogël, për ata më vjen keq”, thotë vajza.

Megjithatë, ato kanë një apel për vajzat e tjera që mund të ndodhen në situata të tilla. “Nuk mund të kenë frikë. Çdo vajzë që e ka përjetuar dhe po e përjeton duhet të bëjë denoncimin në polici pasi do të jetë më e mbrojtur dhe më e sigurt, ashtu siç jam unë”, shton vajza. Ndërkohë, babai i vajzave, i arrestuar, së shpejti pritet të dalë në gjykatë, ku prova më e fortë janë vajzat e tij dhe videoja e realizuar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: