Me një veshje tradicionale islame, ngjyrë të kuqe dhe me shami në kokë, Sinead O’Connor ka performuar për herë të parë pas 5 vitesh në skenë.

E ftuar në edicionin irlandez të ‘Late Late Show’ artistja këndoi ‘Nothing Compares 2U’ dhe ‘Rainy Night in Soho’ dhe ka treguar arsyet e konvertimit të saj në fenë islame.

Sinead, 52 vjeç, këndoi hitet e saj e shoqëruar nga orkestra, ndërsa reagimet ne rrjete sociale ishin të pabesueshme.

‘Ndjehem shumë mirë me këtë fe’, ka treguar 52-vjeçarja, e cila është konvertuar në fenë myslimane vitin e shkuar, duke e ndryshuar emrin në Shuhada Sadaqat.
Ajo më pas i tha drejtuesit të programit: ’Nëse do të njihnit Kuranin, do e kuptonit që keni qenë mysliman për të gjithë jetën, pa e kuptuar. Kjo më ka ndodhur mua. Tani jam 52 vjeç, jam rritur në një Irlandë shumë ndryshe nga ajo që është tani. Ishte një vend shumë i shtypur nga pikëpamja fetare.

Të gjithë ishim të palumtur, askush nuk kishte gëzim dhe besim tek Zoti’, ka vazhduar këngëtarja, që ka thënë që ka studiuar shkrimet e feve të ndryshme: ’Mund të jesh një mysliman edhe nëse nuk je një mysliman i lindur. Një mysliman është një person që beson që i vetmi që mund të adhurohet në univers është Zoti. Në të njëjtën mënyrë unë mund të kisha përqafuar edhe kristianizmin. Ka gjëra që më pëlqejnë dhe të tjera që s’më pëlqejnë, gjëra me të cilat identifikohem dhe të tjera që s’më identifikojnë. Por me Islamin vërtetë ndjehem shumë rehat, si në shtëpinë time.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb