Situata në Qarkun Shkodër është gjithnjë e më alarmante për shkak të kushteve të motit të keq që kanë përfshirë këtë qark. Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta po shkaktojnë dëme të shumta dhe po vështirësojnë qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.
Në Bashkinë Shkodër, aksesi rrugor në territorin që mbulon Drejtoria Rajonale e Rrugëve është i kalueshëm, por situata mbetet e pasigurt dhe mund të përkeqësohet. Për arsye sigurie në aksin Prekal-Kir është e pamundur të ndërhyhet, ndërkohë që në segmentin Breg Lumi – Theth po punohet intensivisht për hapjen e rrugës, me ndihmën e banorëve të zonës. Kjo situatë ka shkaktuar bllokime dhe ka bërë të nevojshme ndërhyrjen e shpejtë.
Në Malësinë e Madhe, reshjet e shiut dhe erërat e forta vazhdojnë me intensitet të lartë, duke shkaktuar vështirësi të shumta. Po ashtu, ka mungesë të energjisë elektrike në njësitë administrative të Gruemirës, Shkrelit dhe Kelmendit, duke izoluar këto zona dhe duke i vështirësuar komunikimin. Për fat të mirë, nuk ka raporte për rrugë të bllokuara, por situata mbetet e ndërlikuar.
Në Bashkinë e Vaut të Dejës, reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të mesëm, të shoqëruara me erë të fortë. Mungesa e energjisë elektrike ka prekur të gjithë njësinë administrative, duke shkaktuar izolim të plotë të disa zonave.
Situata në Bashkinë Fushë-Arrëz është gjithashtu e rënduar. Reshjet e shiut dhe era me shpejtësi të lartë po vazhdojnë të shkaktojnë përmbytje dhe vështirësi të tjera. Ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative të Iballe, Fierze dhe Blerim, ndërsa aksin Gjegjan-Shpal është bllokuar në rreth 40% të tij.
Në Bashkinë Pukë, reshjet e shiut janë intensive dhe po shkaktojnë përmbytje lokale, duke bllokuar rrugët rurale në disa njësi administrative. Në Qerret është raportuar dëmtimi i çatisë së një banese, dhe mungesa e energjisë elektrike ka izoluar këtë zonë që prej orës 13:00.
Në raportin nga OSHEE Shkodër, bëhet e ditur se po punohet intensivisht për rikthimin e energjisë elektrike. Një grup i punës është në terren për riparimin e dëmeve dhe për të rikthyer në funksion hidrovorin në nenstacionin e Çasit, por për shkak të kushteve të motit, punimet janë të ngadalësuara dhe situata mbetet sfiduese.
Në këto kushte, autoritetet bëjnë apel të fortë për shmangien e lëvizjeve të panevojshme dhe për kujdes të shtuar nga qytetarët, pasi kushtet e motit mund të përkeqësohen në çdo moment. Rrugët janë të rrezikshme dhe mund të bllokohen për shkak të shiut të dendur dhe erërave të forta.
(BalkanWeb)