Një video që ngërthen elemente filmi e kërcimi kushtuar burgut famëkeq të Spaçit, është shfaqur në kinema Millenium. Autori i filmit shpjegon abstrakten që rreket të flasë përmes imazhit.

Rruga e familjarëve të të burgosurve politike drejt Spaçit, ankthi i pritjes për t’u takuar, kushtet e jetesës dhe të punës,  erdhën të trajtuara përmes një trajtimi artistik në një prodhim që ngërthen elemente filmi, kërcimit kontemporan dhe një narrative përmes imazhit ose tingujve që buçisnin asokohe.

“303” me skenar dhe regji të koreografit Gentian Doda, u rrek të përcjellë të shkuarën duke  transmetuar dhimbjen pa zë dhe pa tekst.

“Ideja ishte që ta universalizonim. Mos të kishte gjeografi. Do isha shumë tendecioz të pretendoja të flas mbi të dënuarit apo historinë e të dënuarve, sepse më mirë se ata, nuk e bën njeri. Kur shkuam në Spaç, u ndjemë gjithnjë e më keq, dhe ishim të lodhur, të lodhur nga ana shpirtërore”.

Projekti që erdhi në kuadër të programit “Be për kulturën”, synon që të ndihmojë në procesin e përballjes së qytetarëve shqiptarë me të shkuarën komuniste, krimet e saj, pasojat e krimeve dhe propagandës deri në ditët tona dhe adresimin e thirrjes së të mbijetuarve për drejtësi dhe përkujtim të jetëve të humbura e atyre që humbën mes burgjeve e kampeve të punës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: