Arrestohet Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me urdhër të SPAK. Meta është ndaluar nga agjentët e BKH-së pranë mbikalimit të Kamzës, teksa janë asistuar edhe një grup i posaçëm i forcave të Operacionales dhe RENEA-s.
BalkanWeb ka siguruar edhe pamjet e para nga momenti i arrestimit të Metës. Meta duket teksa bën rezistencë brenda automjetit të tij, ndërsa agjentët e BKH e nxjerrin forcërisht nga makina dhe e shoqërojnë në drejtim të një furgoni të bardhë, pa logo policie. Efektivët e kanë ndjekur Presidentin e PL me automjete civile për të mos rënë në sy.
Agjentët e BKH, siç duket edhe nga pamjet, kanë bllokuar njërin sens të lëvizjes në autostradën Durrës-Tiranë për disa çaste, derisa
Presidenti i PL nxirret forcërisht nga automjeti ku po lëvizte me shoferin e tij dhe futet në makinën e policisë.
Agjentët e BKH kanë lëvizur me dy automjete. BalkanWeb mëson se ata e kanë ndjekur Presidentin e PL nga dogana e Morinës pasi po kthehej nga një vizitë në Kosovë dhe në hyrje të Tiranës kanë bërë ndalimin e tij.
Pas arrestimit në autostradën Tiranë-Durrës, Meta është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pas kryerjes së procedurave aty, Meta u transportua në drejtim të Bllokut të Sigurisë, pranë komisariatit nr.3, në rrugën “Mine Peza”.
Tre janë akuzat e SPAK ndaj Ilir Metës, pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie.
Masë nga SPAK ka erdhe për Monika Kryemadhin, ish-bashkëshorten e Ilir Metës. GJKKO ka vendosur për Kryemadhin “detyrim paraqitje”. Gjithashtu, në “arrest shtëpie” është lënë Pirro Xhixho, ish-drejtor i AKEP, babai i deputetes Erisa Xhixho, ndërsa për Ema Çokun është caktuar “detyrim paraqitje”. Kjo e fundit njihet si e afërme e deputetes së PL, Monika Kryemadhi.
(Ish-drejtori i AKEP, Pirro Xhixho, babai i deputetes së PL, Erisa Xhixho)
Ish-kryetarja e PL, Monika Kryemadhi reagoi pasi lajmi u bë publik, duke u shprehur se nuk kishte dijeni për ndonjë vendim gjykate.
“Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare. Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik. Duke nisur nga Inceneratorët dhe der tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët”.
***
Ilir Meta ka shërbyer si President i Shqipërisë nga 24 korriku 2017 deri më 24 korrik 2022. Më parë ai shërbeu si Kryeministër nga 1999 në 2002. Ai ishte Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë nga 2013 në 2017. Meta gjithashtu mbajti poste si Zëvendës Kryeministër, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.
Para kësaj, ai mbajti Kryesinë e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Meta themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në 2004 sot Partia e Lirisë e cila drejtohet prej tij.
Meta ka qenë 15 vite deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare. Meta është Presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që është i fajësuar nga Parlamenti i Shqipërisë.
(BalkanWeb)