TIRANE- Nënkryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, i ka bërë deputetëve të Partisë Demokratike që “t’i kthehen arsyes”, dhe të miratojnë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, pas ndërprerjes së seancës plenare, Spiropali tha se deputetët e PD-së kishin ardhur sot në Parlament “për sherr”, dhe jo për të miratuar komisionin.



“Keqardhje e sinqertë për PD që vazhdon të mos nxjerrë asnjë mësim nga ndëshkimi popullor. E gjendur në situatën ku PD ndodhet, me problemet brenda saj, po kapet pas cungut të politikës së vjetër, si i mbyturi pas fijes së parit. Asnjë vizion, asnjë ide, asnjë lidership, por vetëm një grup kolegësh, që vijnë në Kuvend si një lokal fshati. Vazhdojnë ende avazin e vjetër, duke bllokuar Kuvendin. Ne nuk jemi këtu për të qarë hallet e PD, qofshin këto edhe problemet e rënda që ata kanë, ne jemi këtu për t’u marrë me hallet e qytetarëve, dhe do ta bëjmë këtë duke mos rënë në asnjë moment në batakun e sherrit dhe të llafeve.


Ne erdhëm këtu për të votuar komisionin e reformës zgjedhore, siç ata e donin dhe e kërkuan. Nuk na e dhanë këtë mundësi, nuk na lejuan, se ata nuk kanë ardhur për të votuar këtë komision, por kanë ardhur për sherr. I bëjmë thirrje PD t’i kthehet arsyes, dhe kalojmë te ajo shprehja: “Kur Perëndia t’i merr mendtë, vetëm ajo t’i kthen, mazhoranca s’ka ç’të bën”, tha Spiropali.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: