Në prag të ndërrimit të viteve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përcjellë një urim të ngrohtë për të gjithë shqiptarët, duke reflektuar mbi sfidat e vitit 2024 dhe duke ndarë shpresat e saj për vitin 2025.
“ Viti 2024 ka qenë një vit i vështirë për ekonominë, për xhepat e shqiptarëve, për familjet dhe për shumëkënd ,” tha Tabaku në mesazhin e saj. Ajo vuri theksin tek rritja e çmimeve dhe ulja e të ardhurave familjare, që kanë rënduar jashtëzakonisht mbi jetën e qytetarëve.
Sipas saj, vitin që lamë pas, pensionistët, mbi 800 mijë vetë, mezi kanë arritur të mbulojnë shpenzimet mujore, duke jetuar pa dinjitetin që meritojnë. Edhe rinia shqiptare, tha Tabaku, është përballur me vështirësi të shumta, duke u përballur me kushte të përkeqësuara në arsim dhe mungesë mundësish për të ndërtuar të ardhmen e tyre brenda vendit.
“ 2024 ka qenë gjithashtu një vit i vështirë për shtresën e mesme, për profesionistët e lirë, për mjekët, për inxhinierët dhe për shumë sektorë të tjerë që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, ” theksoi ajo.
Por pavarësisht këtyre sfidave, Tabaku përcolli një mesazh shprese dhe rizgjimi për të ardhmen. Ajo theksoi se 2025 duhet të jetë viti i ndryshimit, i ringritjes dhe i shpresës për të gjithë shqiptarët.
“ Shpresa ime është për më shumë kohë për familje, më shumë mundësi për t’u ringritur, më shumë të ardhura dhe më shumë dinjitet për çdo qytetar, ” tha Tabaku, duke theksuar se ndryshimi mund të vijë vetëm përmes forcimit të institucioneve dhe politikave të drejta.
Deputetja e Partisë Demokratike ftoi qytetarët të bashkohen për një qëllim të përbashkët: rikthimin e Shqipërisë në vendin që meriton. “Me punë të ndershme dhe përpjekje të përbashkëta, ne mund t’ia dalim të ndryshojmë sistemin dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë,” deklaroi ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Tabaku shprehu edhe një reflektim personal për vitin që vjen, duke premtuar përpjekje të shtuara për të bërë më shumë dhe më mirë. “Jam e përkushtuar që të punoj për të sjellë ndryshim të vërtetë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.”
Urimi i saj përfundoi me një mesazh të fuqishëm: “Gëzuar 2025! Qoftë viti i ndryshimit, i shpresës dhe i familjes për të gjithë shqiptarët!”
Mesazhi
Këto janë orët e fundit të vitit 2024, dhe dua të marr vetëm pak çaste për t’ju përcjellë urimet e mia për Vitin e Ri, pa ju ndërprerë nga punët e fundit për të përgatitur tryezat festive apo diskutimet e ëmbla familjare. Viti 2024 ka qenë një vit i vështirë. Një vit i vështirë për ekonominë, për xhepat e shqiptarëve, për familjet dhe për shumë prej nesh. Ka qenë një vit kur çmimet janë rritur dhe të ardhurat familjare kanë qenë më të ulëta. Për shumë familje shqiptare, muajt janë mbyllur me vështirësi, ndërsa për 800 mijë pensionistët tanë, mbijetesa është bërë një sfidë e përditshme, pa dinjitetin që u takon.
Ka qenë një vit i vështirë për Shqipërinë, me shumë qytetarë të larguar nga vendi dhe të rinj që përballen me më pak mundësi. Në arsim, më pak klasa nisën vitin shkollor në shtator. Ishte një vit i vështirë për shtresën e mesme, profesionistët e lirë, mjekët dhe inxhinierët.
Por, pavarësisht këtyre sfidave, viti 2024 na mësoi se si të gjejmë forcë, të ringrihemi dhe të bashkohemi për të ndryshuar gjërat. Na mësoi të japim një mesazh shprese dhe rizgjimi – një mesazh ringritjeje jo vetëm për ekonominë, por për të gjithë shoqërinë.
Viti 2025 do të jetë përsëri një vit sfidash, por unë besoj se mund të jetë edhe viti i ndryshimit. Një vit ku mund të tregojmë forcën e institucioneve tona dhe aftësinë për të bërë më mirë e më shumë. Shpresa ime për Shqipërinë dhe shqiptarët është e thjeshtë:
Më shumë kohë për familje.
Më shumë mundësi për t’u ringritur.
Më shumë të ardhura dhe dinjitet për çdo familje.
Por ajo që është më e rëndësishme, është një ndryshim i madh. Një ndryshim që duhet të vijë nga secili prej nesh dhe që politika mund dhe duhet ta sjellë. Një ndryshim për t’i bërë gjërat më mirë dhe për të dhënë mesazhe pozitive, që Shqipëria dhe shqiptarët kanë kaq shumë nevojë.
Unë uroj që 2025 të jetë viti kur Shqipëria të jetë aty ku i takon dhe shqiptarët aty ku e meritojnë. Një vit ku me punë të ndershme dhe përpjekje të përbashkëta mund të ndryshojmë sistemin që ka qenë aq i vështirë për shumëkënd.
Personalisht, unë reflektoj për vitin që vjen me dëshirën për të bërë më mirë, për të dhënë më shumë dhe për të punuar së bashku me ju për një Shqipëri më të mirë.
Gëzuar 2025! Qoftë viti i ndryshimit, shpresës dhe familjes!
Gëzuar për të gjithë shqiptarët!
(BalkanWeb)