Në përfundim të samitit të mbajtur sot në Bruksel mes përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor kamerat kanë fokusuar edhe një ballafaqim të kryeministrit Rama me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis.
Në pamjet e publikuara Rama duket se bisedon me kreun e qeverisë greke, e cila ka paralajmëruar se do të vendosë veton kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas saj mos lejimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri të betohet është një veprim që bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës.
Rama dhe Mitsotakis duket se bisedojnë me tone normale me njëri-tjetrin, ndërsa të dy i bashkohen liderëve të tjerë të Europës dhe rajonit për të shkrepur foton familjare në përfundim të samitit.
Megjithatë nuk dihet nëse dy liderët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e situatës, e cila ka krijuar një ngërç diplomatik prej muajsh.