Policia e Beratit, e cila ka mbi 2 muaj që vijon të bllokojë Malin e Tomorrit, për të pezulluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në fshatin Novaj, ka bllokuar pasditen e djeshme të gjithë kamionët e firmave të gurit, ndërkohë që prej disa orësh janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Skrapar disa pronarë firmash.

Kamionët e bllokuar në mal, kanë qenë të ngarkuar dhe policia nuk u ka dhënë asnjë shpjegim apo dokumentacion pronarëve për arsyen e ndalimit. Pas ndalimit të kamionëve, pronarë e drejtues mjetesh janë konfliktuar verbalisht me policinë dhe kjo e fundit ka shoqëruar në polici disa pronarë të firmave.

Pronarët pretendojnë prej kohësh që kanë dokumentacion të rregullt për vijimin e punës së tyre në rrasën e Novajt në Skrapar dhe kanë kërkuar nga policia e Beratit arsyen e bllokimit të mjeteve të tyre në mal.

Pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit, edhe pse kanë disa muaj që kanë fituar gjyqin me qeverinë, VKM-ja e së cilës për shpalljen e Malit të Tomorrit “Park Kombëtar” u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, vazhdojnë të pengohen nga policia për të vijuar punën.

Konflikti mes policisë dhe pronarëve të firmave të gurit është thelluar së tepërmi, ndërkohë që sot kamionët e firmave të gurit janë bllokuar të gjithë të ngarkuar në aksin Novaj-Tomorr.

Në lidhje me konfliktin e sotëm, bllokimin e mjeteve në mal dhe ndalimin në polici të pronarëve, askush nga policia nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me situatën e krijuar. Po kështu, nga ana e policisë nuk jepet asnjë informacion edhe në lidhje me arsyet e bllokimit të mjeteve dhe ndalimit të pronarëve të firmave të gurit.

Prej disa muajsh, mali i Tomorrit është blinduar nga forca të shumta të policisë së Beratit, Skraparit e Poliçanit, të cilët vijojnë të qëndrojnë të shpërndarë në të gjithë malin, në 8 pikat strategjike të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb