DURRËS- Një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur në shkollën “Bedrie Bebezi” në Durrës pas një sherri që dyshohet se pati me moshatarë të tij. Ai ka marrë një plagë me thikë në krahë dhe një tjetër në shpatull, ndërsa ngjarja terrorizoi nxënësit e kësaj shkolle.

Në një prononcim për BalkanWeb dhënë gazetares Klodjana Haxhiaj, roja i shkollës, që është një grua me emrin Nora tha se ngjarja ndodhi kur mbaroi ora e 6-të e mësimit dhe nxënësit po dilnin jashtë shkollës. Ajo tha se panë rrëmujë dhe më pas adoleshentin në gjak.

Çfarë ndodhi, çfarë patë ju?
Mbaroi ora e 6-të, në orën 1:15 dolën kalamajtë dhe unë po nxirrja fëmijët, kaq. Nuk pashë asnjë veprim, asgjë.

A u bë rrëmujë këtu jashtë?
Përjashtë po, lajmëruam direkt policinë.

Po ku shkoi djali i plagosur?
E mori drejtoresha direkt e çoi në spital. Se qëlloi në moment këtu.

Po ku e kishte qëlluar?
Në shpatull, vetëm dilte gjak e pamë.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, por autorë të plagosjes nuk ka ende. Dyshohet se autorë janë të tjerë adoleshentë të shkollës “Jusuf Puka” në Durrës.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 23.01.2017, në lagjen Nr. 4 janë konfliktuar për motive të dobëta nxënësit e një shkolle 9- Vjeçare. Konflikti ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës. Nga ky konflikt është plagosur në shpatull me mjet prerës, thikë, shtetasi A.S. 15 vjeç, banues në Durrës, I cili është jashtë rrezikut për jetën. Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe mbledhur provat materiale.

Grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe po punojnë për kapjen e tyre.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb