Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja është mbajtur për rreth 4 orë në ambientet e Policisë së Durrësit. Ai u arrestua pasditen e të dielës me urdhër të SPAK.
Pasi është ndaluar në qytetin e Durrësit teksa po lëvizte me automjet së bashku me shoferin e tij, Çyrbja është shoqëruar nga oficerët e BKH drejt ambienteve të Policisë. Veprimet e rastit janë kryer nga agjentët e BKH, ndërsa policia është marrë vetëm me ekzekutimin e masës së sigurisë.
Pas finalizimit të procedurave në Policinë e Durrësit, Jurgis Çyrbja është dërguar për tek Blloku i Sigurisë, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, pranë burgut 302 dhe komisariatit nr.3.
BalkanWeb mëson se SPAK ka bllokuar automjetin e Jurgis Çyrjes si dhe i ka sekuestruar telefonin.
SPAK ka ngritur akuza ndaj ish-deputetit të PS për tre vepra penale.
Ai është i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.
Gjithashtu, dyshohet se Çyrbja përdorte edhe aplikacionin Sky Ecc gjatë kohës që ishte deputet dhe gjatë hetimeve ka rezultuar se ai kishte komunikime me segmente të botës së krimit.
Gjatë ditës së hënë GJKKO do të vendosë mbi ligjshmërinë ose jo të arrestimit të ish-deputetit socialist.
(BalkanWeb)