Janë publikuar pamjet e para nga arrestimi i ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i cili përfundoi në pranga mbrëmjen e djeshme. Çyrbja u arrestua me urdhër të SPAK, ndërsa mbi të rëndojnë akuza të rënda si bashkëpunëtor i një grupi kriminal në Durrës.

Në videon e siguruar nga BalkanWeb Çyrbja shfaqet me kokën e ulur dhe i prangosur teksa shoqërohet nga dy efektivë të maskuar të forcave operacionale.

Ish-deputeti u arrestua mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK pasi akuzohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës

Ish-deputeti socialist Çyrbja, sipas SPAK, rezulton të ketë qenë përdorues i platformës së koduar Sky ECC dhe ka aty komunikime me segmente të krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme akuzon Çyrbjen se i jepte i formacione “të fortit” të Shijakut, Altin Hajri, për ta shpëtuar këtë të fundit nga arrestimi. Hajri është person në kërkim për pengmarrjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Gjithashtu, nga rikuperimi i komunikimeve në SKY, janë zbërthyer edhe mesazhet e Çyrbjes me Hajrin ku i kërkon këtij të fundit mbështetje në vota për zgjedhjet e 2021 në Qarkun e Durrësit. Në listën shumëemërore të PS, Jurgis Çyrbja rezultoi kandidati i katërt më i votuar pas kryeministrit Edi Rama, Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb