Publikohen pamjet nga momenti kur nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, njëherazi edhe nënkryetar i PD-së, ka humbur ndjenjat gjatë protestës së opozitës, e cila për gati 3 orë bllokoi pasditen e së hënës 5 pika kyçe në Tiranë, në kuadrin e mosbindjes civile.
Gjekmarkaj ishte në zonën e Pallatit me Shigjeta, bashkë me zyrtarë të tjerë demokratë. Nga videot e siguruara nga gazetari i News24, Osman Stafa, shihen momentet kur deputeti demokrat shtrihet në tokë. “Ujë ujë”, dëgjohet të thuhet, ndërsa Gjekmarkaj është i shtrirë në tokë.
PD pretendoi se ndaj Gjekmarkajt është ushtruar dhunë kafshërore, ndërsa Policia e Shtetit mohoi këto denoncime.
Agron Gjekmarkaj është transportuar në spital, ndërsa kreu demokrat Sali Berisha, si dhe deputeti Tritan Shehu e kanë vizituar në orët e mbrëmjes. Ende nuk dihet se çfarë ka shkaktuar humbjen e ndjenjave për nënkryetarin e Kuvendit, por opozita paralajmëroi se do të ndjekë penalisht jo vetëm ushtruesit e dhunës, por edhe urdhëruesit.
Berisha deklaroi se Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, do të përgjigjen personalisht.
(BalkanWeb)