Uruguaji niset me marshin e pestë në Kupën e Amerikës dhe prezantohet menjëherë mes favoritëve për trofeun më të rëndësishëm të futbollit amerikano-jugor. Skuadra e Oscar Tabarez kaloi me shumë lehtësi Ekuadorin, duke fituar me rezultatin 4-0 sfidën e parë në Grupin C. Asnjë problem për dy herë kampionët e botës, që pritën vetëm gjashtë minuta për të kaluar në epërsi me golin e Lodeiro. Sfida më pas u bë në zbritje, teksa ishte Quinteros me kartonin e kuq në minutën e 24-rt që ia lehtësoi akoma më shumë punën rivalëve.


Pasi provoi në të gjitha mënyrat, në të 33-ën, Edison Cavani më në fund gjeti rrugën e rrjetës dhe me një kthesë brenda zonës dyfishoi shifrat për skuadrën e tij. Uruguaji vrau garën në limitet e pjesës së parë. Luis Suarez shënoi golin e tretë për të arshivuar para kohe fitoren. Me rikthimin në fushë pas pushimit, shifrat e rezultatit qëndruan gjatë të pandryshuara. Por për ta bërë më të hidhur debutimin e Ekuadorit mendoi Mina. I pafat mbrojtësi, që me autogolin në minutën e 78-të, vulosi humbjen e skuadrës së tij dhe fitoren e madhe të Uruguajit. Me këtë sukses të besuarit e Tabarez i japin një sinjal të rëndësishëm favoritëve, sidomos organizatorëve të Brazilit.


Nuk kishte fitues në sfidën e dytë të Grupit B. Paraguaji nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 kundër Katarit, që mori një pikë historike si I ftuar dhe debutues në Kupën e Amerikës.
(balkanweb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb