Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përfundon dëshminë në SPAK pas rreth 5 orësh. Veliaj iu drejtua ambienteve të Prokurorisë së Posaçme rreth orës 09.00 të mëngjesit të kësaj të enjte, për të dhënë shpjegime në kuadër të një hetimi që po kryhet ndaj tij dhe familjarëve nën dyshimet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Ai shoqërohej nga drejtori juridik i Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi dhe një punonjës i zyrës së shtypit.
Ai nuk komentoi për gazetarët, teksa linte ambientet e Prokurorisë së Posaçme, lidhur me çështjen për të cilën u pyet, por shkurtimisht tha se do të japë më shumë informacione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Prokurorët e Posaçëm po kryejnë hetime ndaj Veliajt për korrupsion pasiv, bën të ditur gazetarja Klodiana Lala. Hetime ndaj Veliajt dhe familjarëve të tij po zhvillohen edhe sa i takon pasurisë.
Më herët në SPAK ka dëshmuar edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Disa ditë më parë, agjentët e BKH sekuestruan telefonin e Xoxës.
SPAK thotë se “ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.
Më tej shtojmë se “nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete, të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fictive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të kryetarit të Bashkisë”.
Në muajin prill të këtij viti, Erjon Veliaj është pyetur për afro 8 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës.
(BalkanWeb)