KAVAJË

Përvoja 27-vjeçare si polic i dha kurajo për të ndërhyrë këtë mëngjes e për të shmangur një tragjedi. Ish-punonjësi i policisë Ymer Xhafa ishte ai që ndërhyri i pari dhe i hoqi kallashnikovin nga dora, 31 vjeçarit Fitim Baboçi, pasi ky i fundit plagosi bashkëqytetarin e tij në Kavajë, Rexhep Taren. Pasi qëlloi me breshëri kallashnikovi duke lënë të plagosur 53-vjeçarin, Fitim Baboçi vijonte të mbante armën në dorë në një orar kur zona ishte mjaft e populluar.

Xhafa tregon se nuk hezitoi dhe ndërhyri sapo iu dha mundësia duke i hequr nga dora armën 31-vjeçarit për të evituar të shtënat e tjera. Njeriu qe guxoi te ndërhynte në një situatë rreziku thotë se nuk u frikësua dhe pasi ai i hoqi nga dora armen qe mbante i riu, një tjetër person e tërhoqi 31-vjecarin pak metra me larg, deri në momentin që policia mbërriti aty.


“Dëgjova krisma armësh, pashë një person, që nuk e njihja, me armë dhe një grumbull njerëzish. Nuk mund të rrija indiferent, ai më ktheu shpinën. I dola nga mbrapa, i neutralizova armën dhe e mbajta, bashkë me shokun tim, edhe ai ish-oficer. Mund të ndodhte katastrofë, autori nuk reagoi. Jemi njerëz mbi të gjitha, ne jemi për të mirën. Ishte rastësia. Nuk pata frikë. Nuk reagoi edhe u neutralizua. I dhamë ujë dhe pastaj erdhi policia. ”-tha ish-polici, i cili u kthye në një hero të vërtetë.

Të shtënat me armë shkaktuan panik në zonën pranë bashkisë se Vjetër pasojat e te cilave mund te ishin fatale nëse ish-punonjësi i policisë do të kishte qëndruar indiferent.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb