Mediat kanadeze kanë publikuar detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur të premten në mbrëmje në ishullin Nuns, në Montreal të Kanadasë, ku mbeti i vrarë djali 15–vjeçar i aktorit shqiptar Shkëlqim Daja.

Ngjarja ndodhi rreth orën 22:50 të mbrëmjes, pas një konflikti ku u përfshinë disa persona, në Bulevardin Ile des Soeurs. Adoleshenti Denis Daja u godit me thikë në trup dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve në spital. Si autor të dyshuar të ngjarjes, policia ka vënë në pranga një 16–vjeçar.

“Ngjarja ndodhi rreth orës 11 pas një sherri mes dy grupeve adoleshentësh dhe në një pikë, i dyshuari qëlloi mbi trupin e viktimës me një thikë ose mjet të mprehtë. 15-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital ku fatkeqësisht ndërroi jetë për shkak të plagës së marrë nga thika. 16-vjeçari i dyshuar si autor është ndaluar dhe policia po këqyr të gjitha provat dhe sigurisht do merren në pyetje dëshmitarët për të zbardhur ngjarjen”,  – tha Raphael Bergeron, zëdhënësi i policisë së Montrealit.

“Montreal Gazette” shkruan se hetuesit kanë gjetur dhe atë që besohet se është arma e krimit, që mësohet se e kanë dërguar në laborator për analiza.

Aktori Shkëlqim Daja jeton prej shumë vitesh bashkë me familjen e tij në Kanada, ndërsa 15–vjeçari ishte djali i vetëm i çiftit. Këtu gjeni dhe linkun e videos me pamje nga vendi i ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: