Policia e Shtetit ka publikuar videon e arrestimit të Isuf Hasës, personi që vrau të moshuarin Xhemal Meta në banesën e tij në fshatin Shëngjin i vogël në Qafë Mollë.

Policia e kryeqytetit bëri me dije se autori Hasa, e qëlloi viktimën me çekiç në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen. Hasa, pasi e ka qëlluar, ia ka marrë paratë që kishte në xhep.

81-vjeçari u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë së tij.

 

Fëmijët e të ndjerit, që jetojnë në Tiranë kanë thënë se nuk kanë pasur dijeni që babai i tyre të kishte pasur konflikte me ndonjë person.

Isuf Hasa
Isuf Hasa

Si ndodhi ngjarja

Isuf Hasa, 64 vjeç, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.

Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.

Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.

Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .

Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve  të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u  bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb