Një video e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dërrasën e zezë të një klase mësimore është bërë virale. Dje kreu i qeverisë ishte prezent në ndërtesën e re të shkollës “Ali Hadri” në Podujevë. Në një klasë të shkollës ai zgjidhi një ekuacion matematikor, por rezultoi që zgjidhja ishte gabim.
Edhe pse në atë moment gafa nuk u kuptua, por u duartrokit edhe nga ministrja e Arsimit, gabimin e kapën ndjekësit e rrjeteve sociale. Ekuacioni i zgjidhur gabim ishte i klasës së shtatë.
Gabimi matematikor
Gjatë inaugurimit të shkollës, kryeministri i cili ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës – kryeministri hyri në klasë dhe iu drejtua dërrasës së zezë dhe mori shkumësin për të zgjidhur ekuacionin matematikor, me një të panjohur (X).
Pasi Kurti e zgjidhi me besim ekuacionin, të gjithë në sallë duartrokitën, mes tyre edhe ministrja e Arsimit.
Përdoruesit e rrjeteve sociale e dalluan shpejt gabimin në zgjidhjen e Kurtit, i cili duhej të ishte x=0 në vend të x=5.
Kurti kërkon falje
Gabimin e pranoi edhe vetë kryeministri Albin Kurti pak orë më vonë me një reagim në Facebook, duke shkruar se kishte reflektuar dhe kërkoi ndjesë për gabimin në zgjidhjen e ushtrimit.
“Të dashur nxënës, ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore.
Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve.
Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0. Ju përshëndes e ju dua fort, Albini” – shkroi ai në rrjetet sociale.
(BalkanWeb)