TIRANË- Emisioni “Njerëz në Fokus” i gazetares Ola Bruko ka bërë sot bilancin e sistemit të shëndetësisë në 2 vite të kësaj qeverie. Në studio kanë qenë të ftuar Prof. Dr. Isuf Kalo, Mjek endokrinolog; Rustem Celami, Mjek obstetër Gjinekolog; Petrit Vargu, Mjek në Urgjencën e Kardiologjisë QSUT dhe Dr. Shkencash Lindita Shosha, Kirurge e Përgjithshme. Kanë qenë vetë mjekët që kanë folur për problemet me të cilat përballen çdo ditë duke u ndalur tek struktura dhe organizimi në spitale, si arsyet kryesore të problemeve dhe mungesave që kanë sot spitalet.

Ndërkohë në emision është transmetuar edhe një video amatore e bërë në ambientet e QSUT-së, ku denoncohet mungesa e trinitinës, një ilaç bazë për trajtimin e problemeve kardiake.

Në video, infermierja e pavijonit konfirmon se s’ka trinitinë në Kardiologji. Trinitina është vasodilatator i përdorur në çrregullimet kardiake-nitrato organike. Ajo është e përdorur në trajtimin e shpejtë të angina pectoris.

Pas shfaqjes së videos edhe mjeku Petrit Vargu konfirmoi se në pavijonin e tij nuk është ky ilaç. “Sot kur pyeta në pavijonin tim nuk kishte trinitinë”, tha Vargu, duke shtuar se problemi është tek sistemi dhe mënyra e furnizimit me ilaçe.

“Nuk është problemi, mungesa e trinitrinës. Nuk është se dua ti dal drejtoreshës në krah. Lista e ilaçeve të bëhet në një mënyrë tjetër, i gjithë furnizimi të bëhet në një mënyrë tjetër. I gjithë sistemi është gabim. Po të kesh mendje të bësh IT nuk do bësh këto të tjerat”, tha Vargu.

Edhe mjeku Rustem Celami tha se ka mungesë stafi, mungesë medikamentesh, mungesë aparaturash etj.

Një tjetër fakt që u zbulua gjatë emisioni ishte edhe largimi masiv i mjekëve drejt Gjermanisë.

“Situata po përkeqësohet, ka një rrjedhje të mjekëve drejt Gjermanisë. Janë me dhjetëra mjekë që po largohen, sidomos të rinjtë. Kush do punojë këtu?”, tha kirurgia Lindita Shosha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: