Ka njerëz që ndërtojnë pishina për fëmijët e tyre por ka edhe të tillë, si Hamëz Gashi që në një hapësirë prej 28 metrash katrorë ngre pishinë për peshqit e larmë të llojit të krapit “Koi”. Këtë e ka bërë ai në kopshtin e tij në Sutz të Kantnit të Bernë. Të hënën në mbrëmje shqiptari ka postuar në facebook videon ku shihet pishina në fjalë. Që atëherë, ajo është klikuar mbi 2 milionë herë ndërsa është shpërndarë më shumë se 19.000 herë, duke marrë mbi 13.000 komente.


“Ende nuk mund ta besoj një gjë të tillë”, thotë  39-vjeçari për blick.ch.


Pasionin për peshqit e larmë ai e kultivon që prej 17 vitesh. “Si fëmijë kisha një akuarium me peshq të artë. Më vonë në një revistë kam hasur në llojin e krapit “Koi” dhe e kam marrë një të tillë për pishinën time. Atë e kam edhe tani”, thotë Hamëz Gashi, transmeton albinfo.ch.


Por ndërkohë ai ka 21 peshq të këtij lloji. Para tri vitesh iu desh të shpërngulej pasi pishina u bë ndërkohë e ngushtë dhe kështu më nevojitej një kopësht më i madh për ta vendosur atë.

Para dy vitesh ai filloi ndërtimin e një pishine me mure transparente. “Unë doja që peshqit t’i shikoja jo vetëm nga lart”. Me ndihmën e miqve ai ngriti një pishinë të gjatë 7 metër, të gjerë 4 dhe të thellë 1.7 metra, e cila ka vend për 45.000 litra ujë. Ndërsa për vete dhe familjen ai thotë se nuk do të ndërtojë pishinë. “Ne banojmë afër Liqenit të Bielit dhe shkojmë atje për të bërë banjë”, thotë shoferi, baba i dy fëmijëve.

Vjeshtën e kaluar 21 peshqit e tij u vendosën në “shtëpinë e tyre të re”. Më i madhi prej tyre është i gjatë 105 cm dhe peshon rreth 15 kg. Është femër dhe ka emrin Pamela. Të tjerët janë mes 40 dhe 80 cm të gjatë. Ai i ka blerë ata nga tregtarë të ndryshëm në Gjermani, Luksemburg dhe Francë, të cilët i kanë sjellë nga Japonia.

Përveç tri orëve punë në ditë, këta peshq i kushtojnë z. Gashi edhe shumë para. Ai sqaron se Pamela kushton rreth 20.000 franga, ndërsa shton: “unë e kam blerë me një çmim special prej më pak se 7.000 frangash”. Por Hamza thotë se njëri ndër peshqit e tij është më ekskluzivi: ai kushton 1.5 milion franga!

Për ushqimin e tyre, energjinë elektrike dhe veterinerin, ai jep rreth 7.000 franga në vit. “Është një hobi i shtrenjtë, por unë i dua peshqit e mi më shumë se çdo gjë. Te ata unë gjej qetësinë pas një dite me stres”. Gashi thotë se jo vetëm i shikon peshqit. Ai edhe luan me ta. Ata e njohin dhe notojnë drejt tij për të marrë ushqimin nga dora e tij.

“Unë i ledhatoj me shumë dëshirë. Janë shumë miqësorë”. Hamza është shumë i befasuar nga jehona që ka bërë videoja e tij. “Kur u zgjova të martën nga gjumi, kisha papritur mijëra mesazhe në postën time elektronike. Njerëzit ishin të tërhequr nga puna ime dhe më bënin komplimente”, tregon me kënaqësi.

Ai nuk mund ta sqarojë se si ndodhi që kaq shumë njerëz u bënë kurreshtarë për postimin e tij. “Disa miq të mi nga fb që kanë po ashtu peshq të tillë (Koi) e kanë shpërndarë videon dhe i kanë ‘bërë tag’ të tjerët. Pastaj e gjithë kjo ka marrë disi hovin e saj dhe ka arritur deri në SHBA dhe në Kinë”. Sigurisht, ai dëshiron që për fansat e tij të postojë pas pak javësh edhe një video tjetër.